Arrestohen katër të dyshuar për përfshirje në një rast rrëmbimi, në mesin e tyre një zyrtar policor
Pas hetimeve intensive për rastin e rrëmbimit të ndodhur më 19 shtator 2025 në lagjen Veternik të Prishtinës, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe Policia e Kosovës kanë ndaluar katër persona të dyshuar, mes tyre edhe një zyrtar policor.
Sipas komunikatës së përbashkët të IPK-së dhe Policisë së Kosovës, pas identifikimit të të dyshuarve, hetuesit kanë siguruar prezencën e tyre dhe kanë kryer veprime të tjera hetimore. Gjatë kontrollit janë sekuestruar një armë zjarri dhe një lodër që imiton armën AK-47.
Me vendim të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, katër personave të ndaluar u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa për zyrtarin policor të përfshirë në rast, IPK ka rekomanduar suspendimin nga detyra, në kuadër të procedurave administrative.
Hetimet po vazhdojnë në koordinim të plotë ndërmjet IPK-së, Policisë dhe Prokurorisë, me qëllim të ndriçimit të plotë të rastit.
Sipas njoftimit, numri i përgjithshëm i personave të arrestuar lidhur me këtë rast ka arritur në tetë.