Interesim i madh nga gratë e Suharekës për ‘Mamografinë Mobile’

20.10.2025

Në kuadër të aktiviteteve për Muajin Rozë, i cili i kushtohet ndërgjegjësimit dhe parandalimit të kancerit të gjirit, sot në Komunën e Suharekës ka nisur ofrimi i shërbimeve falas të mamografisë për të gjitha gratë e kësaj komune, përmes njësisë mobile të mamografisë.

Sipas zëvendës drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë, Driton Maliqaj, interesimi i grave për të kryer kontrollet është jashtëzakonisht i madh.

“Vetëm sot janë paraparë të rrezatohen 20 gra, dhe ka interesim të vazhdueshëm nga qytetaret për këtë shërbim. Është një mundësi shumë e mirë që gratë të kujdesen për shëndetin e tyre përmes diagnostikimit të hershëm,” tha Maliqaj për SuharekaOnline.

Mamografia mobile është e pajisur me të gjitha kushtet e nevojshme dhe po menaxhohet nga dy teknikë të radiologjisë të cilët po punojnë pa ndalur për t’u ofruar grave një shërbim sa më cilësor dhe profesional.

Kjo nismë ka për qëllim vetëdijesimin e grave për rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit, i cili në fazat e para ka përqindje shumë të lartë të shërimit.

Mamografia mobile do të qëndrojë sot në Suharekë, ndërsa sipas paralajmërimeve, ajo do të rikthehet përsëri pas 10 ditësh për një javë të plotë në sheshin e qytetit, për të vazhduar ofrimin e shërbimeve falas për të gjitha gratë e interesuara.