Votat e diasporës mund të përcaktojnë garën në këto 15 komuna
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka bërë të ditur se ka filluar numërimi i votave të ardhura nga diaspora, të cilat, pavarësisht se përbëjnë vetëm 1.4% të totalit të përgjithshëm të votave, mund të kenë ndikim të madh në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve lokale në vend.
Sipas Eugen Cakollit nga KDI, janë gjithsej 29,638 vota që kanë ardhur nga mërgata dhe që mund të ndikojnë drejtpërdrejt rezultatin në 15 komuna – duke vendosur nëse do të ketë balotazh apo duke ndryshuar renditjen e partive dhe kandidatëve.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Cakolli thekson se “matematikisht, votat e diasporës mund të përcaktojnë fatin zgjedhor në këto komuna”, dhe ka renditur komunat ku pritet ndikimi më i madh.
Komunat ku votat e diasporës mund të jenë vendimtare:
- Deçani – AAK siguron fitoren pa balotazh vetëm nëse merr mbi 33% të votave të diasporës.
- Gjakova – Ardian Gjini ka nevojë për rreth 90% të votave jashtë vendit për të shmangur balotazhin.
- Gjilani – Alban Hyseni e fiton pa balotazh vetëm nëse merr mbi 57% të votave të diasporës.
- Dragashi – LDK-ja mund të shmangë balotazhin me 85% të votave nga diaspora.
- Kaçaniku – Balotazhi i sigurt, por diaspora mund të ndryshojë renditjen e kandidatëve.
- Klina – AAK i nevojiten mbi 73% të votave për të shmangur raundin e dytë.
- Kamenica – LVV shmang balotazhin nëse siguron të paktën 42% të votave nga diaspora.
- Mitrovica e Jugut – Votat e diasporës përcaktojnë renditjen ndërmjet PDK-së dhe LVV-së.
- Rahoveci – LDK ka shanse të hyjë në balotazh nëse merr 58% të votave jashtë vendit.
- Prishtina – Balotazhi i sigurt mes LDK-së dhe LVV-së, diaspora ndikon në renditje.
- Shtimja – LVV fiton pa balotazh vetëm nëse merr 42% të votave të diasporës.
- Vitia – Diaspora mund të ndryshojë renditjen mes kandidatëve të LVV-së dhe LDK-së.
- Juniku – Komuna më e ndjeshme ndaj votave nga jashtë; gjithçka mund të ndryshojë.
- Mamusha – KDTP shmang balotazhin nëse fiton mbi 45% të votave të diasporës.
- Hani i Elezit – Votat jashtë vendit do të përcaktojnë fituesin mes PDK-së dhe kandidatit të pavarur.
Votat nga jashtë, më shumë se simbolikë
Megjithëse përqindja e votave të diasporës duket e vogël, Cakolli thekson se në komunat me dallime të vogla mes kandidatëve, çdo votë mund të bëjë diferencën.
“Matematikisht, votat e diasporës mund të ndikojnë rezultatin në mënyrë thelbësore – si në renditjen e kandidatëve, ashtu edhe në përcaktimin nëse do të ketë balotazh apo jo”, shkroi Cakolli.
Përfundimisht, votat nga diaspora jo vetëm që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të demokracisë zgjedhore në Kosovë, por në këto zgjedhje, ato mund të jenë edhe përcaktuese.