Arrestohet një 71-vjeçar në Gjakovë, policia i gjen armë dhe municion gjatë bastisjes

17.10.2025

Një operacion i Njësisë për Hetime të Trafikimit me Narkotikë (DHTN) është zhvilluar mëngjesin e djeshëm në fshatin Skivjan të Gjakovës, ku një 71-vjeçar është arrestuar nën dyshimin për mbajtje të paautorizuar të armëve.

Burime të sigurta nga Policia e Kosovës bëjnë të ditur se bastisja është kryer në orët e para të mëngjesit në shtëpinë e të dyshuarit M.M.

Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë hasur në armë zjarri dhe municion të ndryshëm, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.

I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor për intervistim, ku pas procedurave të para hetimore, me urdhër të Prokurorit Kujdestar, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e origjinës së armës së sekuestruar janë në zhvillim e sipër.

Policia nuk ka dhënë detaje shtesë lidhur me natyrën e armëve apo sasinë e municionit të gjetur.