Sveçla në takimin e Procesit të Berlinit: Kosova e përkushtuar për siguri rajonale

16.10.2025

Me ftesë të Sekretares për Punë të Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Shabana Mahmood, u mbajt takimi i radhës i Ministrave të Brendshëm në kuadër të Procesit të Berlinit, ku Republika e Kosovës u përfaqësua nga ministri në detyrë për Punë të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Takimi u zhvillua përmes tri sesioneve të punës, në të cilat u diskutua për sigurinë rajonale, luftimin e krimit ndërkufitar dhe thellimin e bashkëpunimit mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kuadër, ministri Sveçla prezantoi përpjekjet dhe rezultatet konkrete të Kosovës në këto fusha.

“Pavarësisht sfidave, Republika e Kosovës ka shënuar suksese të vazhdueshme në forcimin e bashkëpunimit rajonal, me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë, luftimin e grupeve kriminale dhe parandalimin e krimeve ndërkufitare”, u shpreh Sveçla.

Ai theksoi se Kosova mbetet aktive dhe e përkushtuar brenda Procesit të Berlinit dhe se kontributi i saj në këtë mekanizëm rajonal është në funksion të paqes dhe stabilitetit të përbashkët.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar dhe aktive në Procesin e Berlinit, duke kontribuar në thellimin e bashkëpunimit rajonal mbi parimet e respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve të Ballkanit Perëndimor”, shtoi ai.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë takim të nivelit të lartë nënvizon rëndësinë që vendi i kushton integrimit rajonal dhe ndërtimit të një arkitekture të përbashkët sigurie, në përputhje me standardet evropiane dhe vlerat demokratike.