“Liria ka Emër”- Sot fillon marshi me motoçikleta, drejt Hagës

15.10.2025

Platforma “Liria ka Emër” ka nisur një marsh simbolik me motoçikleta drejt Hagës, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara.

Marshi ka filluar nga kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke marrë përmasa rajonale dhe ndërkombëtare. Në këtë nismë janë përfshirë klube motoristësh nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera të Evropës, të cilët i janë bashkuar kësaj iniciative për të përçuar një mesazh të qartë dhe të fuqishëm.

“Ky marshim është një shenjë simbolike e unitetit, solidaritetit dhe vendosmërisë për të mbrojtur të vërtetën dhe dinjitetin”, thuhet në njoftimin e platformës.

Organizatorët theksojnë se qëllimi kryesor i marshit është të kujtojë botës se kërkesa për drejtësi mbetet e gjallë dhe se ajo do të trokasë në dyert e institucioneve evropiane, për të kërkuar lirimin dhe drejtësinë për ata që kontribuuan në çlirimin e Kosovës.

Ky marshim gjithashtu i paraprin protestës madhore që do të mbahet në Tiranë, ku pritet të bëhet një apel i fortë publik për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së dhe për respektimin e së vërtetës historike të luftës së Kosovës.