Një i vdekur, dhjetëra të lënduar e mbi 2 mijë gjoba trafiku brenda 24 orëve të fundit në Kosovë!

11.10.2025

Numri i aksidenteve në rrugët e Kosovës vazhdon të rritet çdo ditë, shpesh si pasojë e mosrespektimit të shpejtësisë dhe kushteve të pafavorshme atmosferike.

Fatkeqësisht, shumë prej këtyre aksidenteve përveç dëmeve materiale përfundojnë edhe me pasoja fatale.

Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, vetëm gjatë 24 orëve të fundit është shënuar një aksident trafiku me fatalitet. Krahas tij, janë regjistruar edhe 15 aksidente me persona të lënduar dhe 42 aksidente tjera që kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Në përpjekje për të menaxhuar situatën në rritje të aksidenteve, Policia ka ndërmarrë një sërë veprimesh. Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar gjithsej 2,339 gjoba trafiku, në kuadër të kontrollit dhe parandalimit të shkeljeve të rregullave të qarkullimit.

Po ashtu, në të njëjtën periudhë janë arrestuar 23 persona, prej të cilëve 19 janë dërguar në mbajtje, ndërsa 4 të tjerë janë dërguar në vuajtje të dënimit.

Policia e Kosovës apelon për kujdes të shtuar në trafik, duke kërkuar nga të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë shenjat dhe rregullat për të shmangur ngjarjet tragjike në rrugë.