MAPL rrëzon rregulloren e Komunës së Suharekës për bonuse të zonimit
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka konstatuar se Rregullorja Nr. 01-Nr-016-56044 për bonuse të zonimit, e miratuar nga Kuvendi Komunal i Suharekës më 29 gusht 2025, nuk është në pajtim me ligjin dhe kërkon rishqyrtim nga komuna.
Në një shkresë zyrtare drejtuar kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, dhe kryesuesit të Kuvendit Komunal, Bexhet Kuqi, MMPHI thekson se vendimi i komunës mungon në arsyetim që të justifikojë nevojën për hartimin e rregullores për bonuse të zonimit.
Sipas dokumentit të nënshkruar nga drejtoresha e Departamentit Ligjor, Florije Kika, dhe zyrtarja ligjore e Divizionit për Mbikëqyrjen e Zbatimit të Legjislacionit, Shendrita Latifi, MMPHI vlerëson se Komuna e Suharekës nuk ka përmbushur obligimin ligjor për ta bazuar rregulloren në dokumentet e planifikimit hapësinor, si “Plani Zhvillimor i Suharekës 2021–2029” dhe “Harta Zonale e Suharekës 2022–2033”.
Në arsyetim thuhet se rregullorja e bonusit të zonimit duhet të jetë në përputhje të plotë me kërkesat e Hartës Zonale, e cila është hartuar sipas udhëzimeve administrative të ministrisë, ndërsa versioni i miratuar nga Kuvendi Komunal nuk është në përputhje me to.
MMPHI thekson se “bonuset e zonimit” nuk mund të aplikohen pa përcaktim të qartë në Hartën Zonale të Komunës dhe se rregullorja e miratuar nga Suhareka është në kundërshtim me këtë dokument bazë.
Në sqarim thuhet se tabela e ilustruar nga MMPHI në projekt-rregulloren e bonusit të zonimit është përdorur vetëm për konsultim dhe nuk mund të jetë pjesë përbërëse e rregullores komunale. Ministria thekson se ky dokument nuk është formë e miratuar ligjërisht për përdorim në këtë rregullore.
MMPHI i kërkon Komunës së Suharekës të përmirësojë dokumentacionin dhe të zbatojë raportimin periodik mbi zbatimin e planifikimit hapësinor, në mënyrë që rregulloret e ardhshme të jenë të bazuara në dokumente të plota ligjore dhe planifikuese.
Në përfundim, ministria nënvizon se akti komunal nuk përmbush kriteret e ligjshmërisë dhe kërkon nga Kuvendi Komunal i Suharekës ta rishqyrtojë dhe ta përshtatë me Ligjin Nr. 08/L-284 për Shqyrtimin Administrativ të Aktëve të Komunave, si dhe me rregulloret ekzistuese të planifikimit hapësinor.

