Prokuroria Speciale për dënimin e Dibran Hoxhës: Hap i rëndësishëm drejt drejtësisë

09.10.2025

Prokuroria Speciale e Kosovës ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit fajësues nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj të pandehurve D.H., R.S., A.V., B.M. dhe J.B., të akuzuar në lidhje me vrasjen e rëndë të viktimës V.C., e ndodhur në qytetin e Prizrenit.

Përmes një njoftimi zyrtar, Prokuroria e ka cilësuar këtë vendim si një hap të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit dhe garantimin e drejtësisë për viktimën dhe familjarët e saj.

“Prokuroria Speciale rithekson përkushtimin për të ndjekur penalisht dhe sjellë para drejtësisë të gjithë personat që dyshohen për kryerjen e veprave penale, në përputhje me ligjin dhe me standardet më të larta profesionale”, thuhet në reagim.

Ky vendim vjen pas një procesi të gjatë gjyqësor, që trajtoi një nga rastet më të rënda kriminale në vend. Prokuroria ka paralajmëruar se do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim trajtimin e rasteve të rënda penale për të garantuar sigurinë dhe drejtësinë për qytetarët e Republikës së Kosovës.