Gjermani, 56-vjeçari pëson lëndime nga sulmi i një kosovari 18-vjeçar, ndërhyn policia
Një grindje e papritur në Engelbertstrasse, Neheim, mbrëmjen e 3 tetorit 2025, ka përfunduar me lëndimin e një burri 56-vjeçar.
Rreth orës 22:10, ai u përfshi në një përleshje fizike me dy 18-vjeçarë, njëri gjerman dhe tjetri gjermano-kosovar.
Të rinjtë, të cilët nuk e njihnin viktimën, e sulmuan duke e goditur me grusht në fytyrë. Më pas, ata ia hoqën këpucët dhe i hodhën tutje. Viktima pësoi lëndime të lehta dhe u detyrua të merrte trajtim mjekësor.
Dy të dyshuarit u larguan menjëherë nga vendi me një makinë, por gjatë ikjes dëmtuan edhe një automjet të parkuar, gjë që u pa nga një dëshmitar.
Policia gjermane ka konfirmuar se të dy të rinjtë janë identifikuar, duke përfshirë edhe gjermano-kosovarin që ishte pjesë e incidentit. Ndaj tyre tashmë është hapur procedim penal dhe hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat.