Zgjedhjet lokale, qytetarët e Kosovës votojnë këtë të diele

06.10.2025

Pas katër vjetësh nga zgjedhjet e fundit lokale, qytetarët e Kosovës do të rikthehen të dielën e ardhshme, më 12 tetor, në kutitë e votimit për të zgjedhur udhëheqësit e rinj të komunave të tyre.

Në këtë proces elektoral do të zgjidhen 38 kryetarë komunash si dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale në të gjithë vendin.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se përgatitjet për ditën e zgjedhjeve janë drejt përfundimit. Sipas njoftimit zyrtar, gjithsej 2.625 vendvotime do të jenë të hapura në tërë territorin e Kosovës për të mundësuar një proces të qetë dhe të rregullt zgjedhor.

Sipas listës përfundimtare të votuesve, 2.025.105 qytetarë kanë të drejtë vote brenda Kosovës, ndërsa 43.993 votues jashtë vendit janë regjistruar për të votuar përmes postës.

Ndërkohë, kanë mbetur edhe gjashtë ditë deri në zgjedhje, dhe partitë politike, së bashku me kandidatët lokalë, janë futur në javën e fundit të fushatës zgjedhore, e cila pritet të kulmojë me aktivitete përmbyllëse nëpër komuna të ndryshme.

Këto zgjedhje vijnë në një kohë kur Kosova ende nuk ka arritur të formojë institucionet e reja qendrore, ndonëse kanë kaluar shtatë muaj nga zgjedhjet parlamentare, duke shtuar vëmendjen publike dhe politike mbi zhvillimet e ardhshme në nivel lokal dhe nacional.