Për tetë muaj diaspora i solli Kosovës rreth 928 milionë euro
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat e pozicionit të Sektorit të Jashtëm për tremujorin e dytë të vitit 2025 dhe të Bilancit të Pagesave për muajin korrik 2025.
Sipas të dhënave:
Bilanci i pagesave deri në fund të muajit korrik 2025 u karakterizua me një deficit të llogarisë rrjedhëse prej 742.18 milionë euro, duke shënuar rritje prej 206.40 milionë euro krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Bilanci tregtar deri në fund të korrikut shënoi deficit prej 3.19 miliardë euro, që është 19.03% më i lartë krahasuar me vitin e kaluar. Eksporti arriti në 528.27 milionë euro (-1.71%), ndërsa importi 3.72 miliardë euro (+15.57%).
Llogaria e shërbimeve ka bilanc pozitiv prej 1.11 miliardë euro, një rritje prej 22.25%.
Të ardhurat parësore shënuan bilanc pozitiv prej 184.93 milionë euro, me rritje prej afër 62.39%.
Të ardhurat dytësore, kontribuuesi kryesor në zbutjen e deficitit, arritën në 1.15 miliardë euro (+2.74%).
Remitancat deri në korrik ishin 785.06 milionë euro (+4.15%), ndërsa vlera preliminare për gushtin ishte 143.4 milionë euro, duke çuar totalin e tetëmujorit në 928.48 milionë euro. Shpërndarja e remitancave ishte: IFJB 41.02%, bankat komerciale 17.19%, kanalet tjera 41.79%.
Asetet në llogarinë financiare kishin bilanc pozitiv prej 376.32 milionë euro, ndërsa detyrimet financiare shënuan 900.63 milionë euro.
Investimet direkte në Kosovë arritën 540.94 milionë euro (+24.24%), ndërsa ato jashtë Kosovës ishin 212.78 milionë euro.
Asetet rezervë u rritën për 201.48 milionë euro (+30.22%). Depozitat u rritën për 264.06 milionë euro, ndërsa investimet në letra me vlerë ranë për 62.58 milionë euro.
Pozicioni i investimeve ndërkombëtare në tremujorin e dytë 2025 u karakterizua me rritje të aseteve ndërkombëtare për 280.91 milionë euro dhe të detyrimeve për 468.12 milionë euro. Totali i aseteve: 8.41 miliardë euro, detyrimet: 10.96 miliardë euro.
Rritjes së aseteve ndërkombëtare i kontribuuan: investimet direkte 93.85 milionë euro, letra me vlerë 59.94 milionë euro, asetet rezervë 187.58 milionë euro. Investimet tjera pësuan rënie për -60.46 milionë euro.
Detyrimet e jashtme u rritën përmes investimeve të huaja direkte me 234.83 milionë euro dhe investimeve tjera me 233.29 milionë euro.
Borxhi i jashtëm bruto arriti në 4.43 miliardë euro, një rritje prej 218.19 milionë euro krahasuar me tremujorin paraprak. Sektori privat kontribuoi me 133.13 milionë euro, ndërsa sektori publik me 85.05 milionë euro.
Borxhi i sektorit publik arriti në 1.02 miliardë euro (23.03% e borxhit të jashtëm total), prej të cilit 857.81 milionë euro ishte borxhi i qeverisë.
Borxhi i sektorit privat arriti në 3.41 miliardë euro, i ndarë në: bankat komerciale (21.10%), kompanitë me investime direkte (27.31%) dhe sektorët tjerë (51.59%).
Statistikat zyrtare të BQK-së pasqyrojnë zhvillimet ekonomike ndërkombëtare dhe ndikimin e tyre në ekonominë e Kosovës, në tërësi dhe sipas komponentëve kryesorë financiarë dhe tregtarë.