ASK: Shkalla e papunësisë në Kosovë bie nga 35.3% në 10.8% në periudhën 2014–2024
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Raportin “Vjetari Statistikor 2025”, ku pasqyrohen të dhëna kyçe mbi zhvillimet demografike dhe ekonomike të vendit gjatë një dekade.
Raporti tregon një ndryshim të dukshëm në tregun e punës, krahasuar me vitin 2014, si dhe përmirësim në treguesit e pagave dhe punësimit.
Sipas të dhënave të ASK-së, shkalla e papunësisë në vitin 2024 ishte 10.8%, një shifër dukshëm më e ulët krahasuar me vitin 2014, kur papunësia regjistrohej në 35.3%. Kjo tregon një rënie prej rreth 25 pikë përqindje brenda dhjetë vjetëve, duke shënuar një nga progreset më të mëdha në tregun e punës që nga paslufta.
Megjithatë, rënia e papunësisë është shoqëruar edhe me ndryshime në fuqinë punëtore. Në vitin 2014, fuqia punëtore përfshinte 500,251 persona, ndërsa në vitin 2024 ky numër ka rënë në 464,567 persona.
Edhe popullsia ekonomikisht joaktive – personat në moshë pune që nuk janë të punësuar dhe nuk kërkojnë punë – ka shënuar ulje. Nga 702,238 persona në vitin 2014, numri ka rënë në 610,137 persona në vitin 2024. Kjo rënie tregon një pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve në tregun e punës, por njëkohësisht ngre shqetësime për tkurrjen e fuqisë punëtore në terma absolutë.
Një tjetër tregues i rëndësishëm është shkalla e punësimit. Nga 26.9% në vitin 2014, punësimi në Kosovë ka arritur në 38.6% në vitin 2024. Sipas ASK-së, kjo përbën një rritje të qëndrueshme, megjithëse shkalla mbetet ende më e ulët krahasuar me standardet evropiane. Vlen të theksohet se viti 2015 shënoi nivelin më të ulët të punësimit në dekadën e fundit, me vetëm 25.2%.
Raporti vë në dukje edhe rritjen e pagave në vend. Paga mesatare neto në vitin 2014 ishte 365 euro, ndërsa në vitin 2024 arriti në 552 euro. Diferenca është edhe më e theksuar në sektorin publik, ku paga mesatare neto është rritur nga 423 euro në vitin 2014 në 668 euro në vitin 2024.
ASK publikisht çdo vit Raportin e Vjetarit Statistikor, një dokument gjithëpërfshirës që ofron të dhëna mbi popullsinë, ekonomitë familjare, arsimin, shëndetësinë, kulturën, mirëqenien sociale, energjinë dhe sektorë të tjerë ekonomikë e socialë. Përmes këtij raporti, institucionet publike, bizneset dhe qytetarët marrin një pasqyrë të qartë të zhvillimeve në vend.