KFOR vendos 114 shenja të reja përgjatë vijës kufitare me Serbinë

30.09.2025

Ushtarët e misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, kanë përfunduar vendosjen e shenjave të reja përgjatë Vijës Kufitare Administrative (ABL) brenda zonës së përgjegjësisë së tyre.

Në total janë vendosur 114 shenja në zona malore dhe pyjore, me qëllim të shënjimit të qartë të hapësirës operacionale të KFOR-it dhe zvogëlimit të rrezikut nga kalimet aksidentale.

KFOR ka bërë të ditur se do të vazhdojë përpjekjet për të promovuar një ambient të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës. Këto përpjekje përfshijnë edhe patrullime të rregullta në pjesën veriore të vendit dhe pranë Vijës Kufitare Administrative.

Në këtë kuadër, KFOR punon në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë.