Amir Rrahmani pëson një tjetër lëndim, mungon në ndeshjet e tetorit me Kosovën

28.09.2025

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës dhe qendërmbrojtësi i Napolit, Amir Rrahmani, ka pësuar një tjetër lëndim, duke shkaktuar shqetësime të mëdha si për klubin italian, ashtu edhe për kombëtaren dardane.

Sipas “Corriere del Mezzogiorno”, mbrojtësi kosovar është dëmtuar gjatë stërvitjes së fundit me Napolin. Si pasojë, ai do të mungojë në disa prej ndeshjeve më të rëndësishme të javëve në vijim, përfshirë përballjet ndaj Milanit, Sporting Lisbonës dhe Genoas.

Mungesa e tij do të ndjehet edhe në radhët e Kombëtares së Kosovës, e cila në muajin tetor do të zhvillojë duele të rëndësishme kundër Sllovenisë dhe Suedisë. Prania e Rrahmanit në mbrojtje është konsideruar gjithmonë thelbësore për skuadrën, çka e bën edhe më të rëndë situatën për trajnerin e Kosovës.

Raportimet e para sugjerojnë se rikthimi i mundshëm i Rrahmanit mund të ndodhë më 18 tetor, në ndeshjen e Napolit kundër Torinos, nëse ecuria e rehabilitimit shkon sipas pritjeve.

Ky është lëndimi i dytë brenda një kohe të shkurtër për mbrojtësin kosovar, i cili sapo ishte rikthyer në stërvitje pas një dëmtimi të mëparshëm, të pësuar gjatë ndeshjes së Kosovës me Zvicrën më 5 shtator. Situata e fundit tregon edhe një herë sfidat fizike me të cilat po përballet kapiteni i Kosovës në këtë sezon.