Gjermani, arrestohet 39-vjeçari shqiptar, plagosi rëndë me thikë një 37-vjeçar para banesës së tij

28.09.2025

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin Zülpich të Gjermanisë, ku një 39-vjeçar shqiptar dyshohet se ka plagosur rëndë një burrë 37-vjeçar me një objekt të mprehtë.

Sipas autoriteteve gjermane, sulmi ndodhi rreth orës 20:30 përpara apartamentit të viktimës. Pavarësisht plagëve të shumta me thikë dhe prerje në kokë dhe në pjesën e sipërme të trupit, 37-vjeçari arriti t’i shpëtojë sulmuesit dhe të kërkojë strehim te fqinjët. Ndërkohë, i dyshuari u largua nga vendngjarja, raporton urgjent.com.

Policia reagoi menjëherë, duke intervistuar dëshmitarët dhe, me urdhër gjykate, kontrolloi apartamentin e të dyshuarit. Gjatë bastisjes u sekuestruan prova, ndërsa 39-vjeçari u arrestua.

Me kërkesë të Prokurorisë Publike të Bonit, më 23 shtator 2025, Gjykata e Rrethit Euskirchen urdhëroi paraburgim ndaj të dyshuarit për tentativë vrasjeje të paqëllimshme.

Hetimi mbi rastin po udhëhiqet nga Kryeinspektorja Carmen Herrmann, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin Publik të Bonit, Martin Kriebisch.

Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se hetimet vazhdojnë për të sqaruar motivet dhe rrethanat e sakta të këtij krimi të rëndë.