Bankat gjigante në Zvicër me detyrim të ri për filialet jashtë vendit
Këshilli Federal i Zvicrës ka hapur sot zyrtarisht një konsultim publik për ndryshimin e Ligjit për Bankat dhe Rregullores mbi kapitalin vetjak, me qëllim forcimin e mbrojtjes së kapitalit të bankave vendore ndaj rreziqeve që vijnë nga jashtë vendit.
Sipas propozimit të ri, bankat sistemikisht të rëndësishme do të detyrohen që të mbulojnë plotësisht me kapital vetjak pjesëmarrjet e tyre në filialet jashtë Zvicrës – një ndryshim i rëndësishëm krahasuar me rregullin aktual, i cili kërkon mbulim vetëm pjesërisht.
Ky ndryshim synon të parandalojë që humbjet e filialeve jashtë vendit të ndikojnë drejtpërdrejt në kapitalin e bankës mëmë në Zvicër, duke mbrojtur më mirë degën qendrore dhe interesat e klientëve e kreditorëve në vend.
Zbatimi i masës do të jetë gradual: duke filluar me 65% mbulim në momentin e hyrjes në fuqi, dhe rritje vjetore prej 5%, deri në arritjen e 100% pas shtatë vitesh.
Ky ndryshim ka ndikim të drejtpërdrejtë sidomos mbi UBS, banka më e madhe në Zvicër, e cila do të duhet të rrisë ndjeshëm kapitalin e saj të disponueshëm brenda vendit.
Sipas një deklarate zyrtare, Këshilli Federal, së bashku me Banka Kombëtare e Zvicrës (SNB) dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (FINMA), e konsiderojnë këtë hap si vendimtar për forcimin e stabilitetit financiar dhe për mbrojtjen e klientëve dhe kreditorëve zviceranë.
Konsultimi publik do të zgjasë deri më 9 janar 2026, pas së cilës pritet të vendoset përfundimisht mbi hyrjen në fuqi të masës së re./alb.info/