KFOR: Nuk ka shkelje të hapësirës ajrore me dronë në Kosovë
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se deri më tani nuk janë identifikuar shkelje të hapësirës ajrore me dronë që mund të paraqesin rrezik për sigurinë në vend.
“Ne nuk kemi identifikuar shkelje të hapësirës ajrore me dronë që mund të rrezikojnë sigurinë në Kosovë. Ne monitorojmë rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës me të gjitha mjetet dhe kapacitetet në dispozicion”, thuhet në deklaratën e KFOR-it për media.
Në të njëjtën deklaratë, theksohet rëndësia që çdo aktivitet në hapësirën ajrore, sidomos ato pranë kufirit, të koordinohen me KFOR-in për të shmangur tensionet dhe për të garantuar sigurinë e përgjithshme.
KFOR-i bëri të ditur se mbetet në kontakt të ngushtë me institucionet e sigurisë së Kosovës, si dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë, për të siguruar stabilitet dhe për të menaxhuar çdo situatë që mund të paraqitet.
Ky reagim i KFOR-it vjen pasi ditëve të fundit zyrtarë të institucioneve në Kosovë kanë shprehur shqetësim për lëvizje të dyshimta të dronëve në veri të vendit. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë deklaruar se ka dyshime që dronët mund të kenë ardhur nga territori i Serbisë. Ata kanë shtuar se Policia e Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me KFOR-in dhe po e monitoron situatën nga afër.