Nëse asnjë kandidat nuk merr mbi 50% të votave, balotazhi i zgjedhjeve lokale mbahet më 9 nëntor

26.09.2025

Fushata për zgjedhjet lokale po vazhdon, ndërsa qytetarët do t’i drejtohen kutive të votimit më 12 tetor për të zgjedhur kryetarët e komunave. Nëse kandidatët për kryetarë nuk arrijnë të sigurojnë mbi 50% të votave, balotazhi do të mbahet më 9 nëntor 2025, sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale.

Ky ligj, i miratuar në vitin 2008, mbetet i pandryshuar dhe përcakton se balotazhi zhvillohet katër javë pas raundit të parë mes dy kandidatëve më të votuar. Fitues shpallet ai që merr shumicën e votave në këtë raund.

Në zgjedhjet e kaluara të vitit 2021, vetëm 17 nga 38 komuna kishin zgjedhur kryetarët në raundin e parë, ndërsa 21 komuna kishin kaluar në balotazh, që përfshinte rreth 67% të votuesve. Në Suharekë, procesi kishte përfunduar që në raundin e parë, pasi kandidati i AAK-së, Bali Muharremaj, kishte siguruar mbi 50% të votave të vlefshme pa pasur nevojë për rreth të dytë.

Këtë vit, të drejtë vote kanë 2,069,098 qytetarë, prej tyre 43,993 nga jashtë vendit. KQZ ka bërë të ditur se ka nisur dërgimin e 44 mijë pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar në diasporë, të cilat po shpërndahen në adresat e tyre përmes shërbimeve postare.