Gjermani, shqiptari tenton dy herë të hyjë ilegalisht brenda një nate, kthehet prapë në Çeki
Një 34-vjeçar shqiptar është ndaluar dy herë brenda disa orësh nga Policia Federale gjermane, pasi tentoi të hynte ilegalisht në vend përmes pikës kufitare në Furth im Wald (rrethi Cham).
Sipas njoftimit zyrtar, rasti i parë ndodhi të hënën rreth orës 20:30, kur oficerët kontrolluan pasagjerët e një treni që vinte nga Praga. Shqiptari, megjithëse kishte pasaportë të vlefshme, kishte tejkaluar me gjashtë ditë afatin e qëndrimit në zonën Schengen.
Gjatë verifikimeve, autoritetet zbuluan se ai ishte gjithashtu në kërkim nga prokuroria e Dessau-Roßlau për identifikim lidhur me akuza për akte ekzibicioniste. Një ditë më parë, ai nuk kishte arritur të futej në Gjermani as nga pika kufitare Berggießhübel në Saksoni.
Pas procedurave, ai u deportua përsëri në Republikën Çeke rreth orës 00:40 pas mesnate. Mirëpo, vetëm një orë më vonë, ai tentoi sërish të hynte në Gjermani, këtë herë me një taksi çeke në pikën kufitare Furth im Wald/Schafberg.
Policia federale e ndaloi përsëri dhe, pas një raporti tjetër për tentim hyrjeje të paligjshme, e deportoi edhe një herë në Çeki.
Ndaj tij tashmë janë nisur hetime për tentativë hyrjeje të paligjshme.