Gjermani, dhuna në shkolla, fëmijët me prejardhje nga Kosova në top 5-she
Gjithnjë e më shumë nxënës dhe mësues në Gjermani po përballen me frikë dhe pasiguri në shkolla.
Të dhënat e fundit nga Baden-Württemberg tregojnë një rritje alarmante të dhunës në institucione arsimore, duke prekur jo vetëm nxënësit por edhe mësuesit.
Sipas raportit të Ministrisë së Brendshme në Stuttgart, vitin e kaluar gati 2,800 nxënës ishin viktima të krimeve në shkolla – që do të thotë se çdo ditë rreth 15 fëmijë dhe të rinj përballen me rrahje, kërcënime, fyerje apo abuzime seksuale. Krahasuar me vitin 2018, kjo paraqet një rritje prej 46 për qind, shkruan urgjent.com.
Edhe më shqetësues është fakti se dhuna ndaj mësuesve është rritur me 158 për qind. Vetëm gjatë vitit të kaluar, 157 mësues u lënduan, u fyen ose u ngacmuan nga nxënës, kryesisht meshkuj.
Një pjesë e madhe e të dyshuarve për dhunë janë të huaj. Statistikat tregojnë se 36 për qind e nxënësve të dhunshëm nuk kanë origjinë gjermane. Në krye të listës janë sirianët (264 raste), pasuar nga afganët (72), ukrainasit (67), irakianët (61) dhe kosovarët (51 raste).