Gjermani, arrestohen dy kosovarë për punë dhe qëndrim të paligjshëm
Autoritetet gjermane kanë arrestuar katër punëtorë ndërtimi në një kantier në qytetin Wetzlar, mes tyre edhe dy shtetas të Kosovës, nën dyshimin për qëndrim të paligjshëm në vend.
Sipas njoftimit të Zyrës Kryesore Doganore të Giessen, punëtorët, të moshës nga 22 deri në 40 vjeç, nuk arritën të paraqisnin një leje qëndrimi të vlefshme për Gjermaninë. Ata kishin vetëm dokumente të përkohshme për Kroacinë.
Dy kosovarët kishin qëndruar dhe punuar në Gjermani për gati një vit, ndërsa dy shtetasit boshnjakë ishin atje prej rreth një muaji. Në momentin e kontrollit, ata ishin duke kryer punime ndërtimi në sistemin e ventilimit të një objekti të ri në parkun industrial Dillfeld, i cili po ndërtohej nga një kompani gjermane, ndërsa punëtorët ishin sjellë nga një kompani kroate.
Pas arrestimit, zyrtarët doganorë konfiskuan pasaportat e tyre dhe informuan autoritetet e imigracionit në Wetzlar. Këto të fundit pritet të vendosin mbi qëndrimin e tyre të mëtejshëm.
Ndërkohë, është hapur një hetim edhe ndaj kompanisë punëdhënëse për rolin e saj në këtë rast.