Sot varrosen tre të rinjtë nga Kosova që humbën jetën në aksidentin në Luksemburg
Sot, fshatrat Isniq dhe Dobërdol do të mbushen me dhimbje dhe lot, ndërsa qindra qytetarë pritet t’u bashkohen ceremonive mortore për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
Foto: Ilustrim
Sot është dita më e rëndë për familjet Kastrati dhe Bajraktaraj, të cilat do t’i japin lamtumirën e fundit tre të rinjve që humbën jetën tragjikisht në një aksident në Luksemburg më 1 shtator 2025.
Sipas njoftimeve të familjarëve, Uk dhe Ujkan Bajraktaraj do të varrosen në ora 15:00 në varrezat e fshatit Isniq, ndërsa Edonik Kastrati do të përcillet për në banesën e tij të fundit në ora 17:00 në fshatin Dobërdol.
Vetura në të cilën udhëtonin tre të rinjtë i përkiste babait të njërit prej tyre. Dyshohet se automjeti ka qenë duke lëvizur me shpejtësi të lartë, por raporti përfundimtar i policisë në Luksemburg ende nuk është publikuar.
Në aksident humbën jetën edhe dy persona të tjerë, shtetas boshnjakë nga qyteti Wiltz, të cilët po udhëtonin me kamion.