Bali Muharremaj – qytetarëve të Suharekës: “Nuk qeveris i vetëm, por bashkë me ju”
Në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, kryetari aktual i Suharekës dhe njëherësh kandidati për një mandat tjetër, Bali Muharremaj, i është drejtuar qytetarëve me një mesazh falënderimi dhe uniteti.
Përmes një postimi me numrin #174, Muharremaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me votuesit dhe ndikimin e tyre në vendimet e tij.
“Faleminderit. Më besoni, nuk është vetëm një shprehje. Kam mësuar aq shumë nga ju, dhe nuk mjafton vetëm një falënderim,” shkroi Muharremaj, duke shtuar se çdo këshillë e qytetarëve ka ndikuar fuqishëm në rrugëtimin dhe vendimet e tij. Ai e përshkroi rrugën e përbashkët si të vështirë, por theksoi se kjo rrugë i takon atyre bashkërisht.
Kandidati për kryetar theksoi se forca e tij vjen nga qytetarët, pavarësisht nëse jetojnë në qytet apo në fshatra. Ai vuri theksin te nevoja për të qeverisur bashkërisht, duke e bërë të qartë se nuk mund ta bëjë këtë vetëm. “Nuk mund të qeveris i vetëm sepse duhet të qeverisim bashkë. Unë dhe ju. Pa asnjë dallim. Të qeverisim pa kushtëzime, për të mirën e përbashkët,” u shpreh ai.
Muharremaj theksoi sinqeritetin e përkrahjes së qytetarëve, duke shtuar se i kupton edhe ata që nuk e shprehin haptas mendimin e tyre. Ai e përfundoi mesazhin duke theksuar rëndësinë e ditës së votimit, duke i bërë thirrje qytetarëve të mbështesin kandidaturën e tij.