James Rubin përfundon dëshminë në Hagë: Ishte privilegj për mua
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar dëshminë ish-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, James Rubin, i cili dëshmoi për tri ditë me radhë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Foto: Ilustrim
Dëshmitari tha se ishte privilegj për atë që të japë dëshmi në këtë proces përkundër faktit që ka zgjatur pak si shumë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Privilegj që për mua që të jem këtu, pavarësisht që zgjati pak si shumë. Është një kënaqësi e madhe për mua dhe është përdorim shumë i rëndësishëm i kohës time. Është shumë e rëndësishme që isha këtu dhe iu thash mendimet e mia dhe dhashë dëshminë time në këtë çështje”, tha ai.
Dëshmitari gjatë dëshmisë së tij përsëriti se struktura e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ka qenë në vijën vertikale të raportimit. Përgjigja e dëshmitarit erdhi nga pyetjet e avokatit të Kadri Veselit, Rodney Dixon pasi përfundoi pyetjet shtesë mbrojtja e Thaçit.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit, dëshmitari tha se nuk i kujtohet që ndokush ia ka treguar ndonjë urdhër të dhënë nga Hashim Thaçi për krahun ushtarak gjatë kohës së luftës duke përfshirë edhe vitet deri në ditën kur po jep dëshmi në Hagë.
Ai tha se nuk i kujtohet që iu është treguar ndonjë raport që i është dërguar krahut ushtarak prej Hashim Thaçit.
Dëshmitari u pyet se a e dinte se ku ka qenë Thaçi gjatë periudhës nga nëntori i ’98-ës deri në qershor të 1999-ës përveç kohës kur Rubin ka komunikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me të.
“Nuk kam qenë në dijeni të lëvizjeve të tij, por që besoj që kur kam folur më atë, ai ka qenë në Kosovë”, tha Rubin.
Dëshmitari tha se nuk e ka ditur se kush është Sylejman Selimi dhe as nuk e di se kush është paraardhësi i Agim Çekut si Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së.