Prizren, arrestohet një i dyshuar për korrupsion dhe mashtrim në prokurim publik
Policia e Kosovës ka njoftuar se më 15 shtator 2025 ka realizuar një aksion të rëndësishëm në kuadër të hetimeve për korrupsion dhe mashtrim në procedurat e prokurimit publik.
Aksioni është zhvilluar nga Sektori për Hetime Financiare, në bashkëpunim dhe nën autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet kanë çuar në ekzekutimin e një urdhërese të Gjykatës Themelore në Prizren, përmes së cilës janë kontrolluar disa lokacione të lidhura me rastin. Gjatë këtyre kontrolleve, policia ka sekuestruar pajisje elektronike dhe dëshmi të tjera materiale që do të shërbejnë në procedurën hetimore.
Në njërin nga lokacionet e bastisura, është gjetur gjithashtu një armë zjarri me municion, për të cilën është iniciuar një rast i veçantë në njësinë policore përkatëse.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit kompetent, është ndaluar për 48 orë.
Policia e Kosovës thekson se në koordinim të plotë me organet e drejtësisë, do të vazhdojë me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve ligjore deri në sqarimin e plotë të rastit.