Hapet konkursi për pranim në konvikte dhe mensë për vitin akademik 2025/2026
Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës ka shpallur konkursin për pranimin e studentëve në konvikte dhe për ushqim në mensë për vitin e ri akademik 2025/2026.
Konkursi do të jetë i hapur nga data 15 deri më 20 shtator 2025 dhe aplikimi mund të bëhet online përmes faqes zyrtare të Qendrës së Studentëve ose profilit të saj në rrjete sociale.
Sipas njoftimit, Qendra e Studentëve këtë vit do të pranojë rreth 4000 studentë për akomodim. Krahas konvikteve, studentëve do t’u ofrohet edhe ushqimi i subvencionuar në mensë. Studentët e rregullt të UP-së kanë mundësi të aplikojnë edhe vetëm për ushqim, pa qenë të akomoduar në konvikte.
Numri i studentëve që do të përfitojnë nga ushqimi i mensës është 1500, ndërsa përzgjedhja do të bëhet sipas kritereve të përcaktuara me konkurs. Çmimi i përcaktuar është 35 euro në muaj – 20 euro për banim dhe 15 euro për ushqim.
Kriteret e aplikimit janë të njëjta si vitet e kaluara dhe përfshijnë dokumentacionin përkatës për statusin e studentit dhe notat mesatare.