Tentoi të hyjë në Gjermani pavarësisht ndalesës nga Holanda, riatdhesohet 27-vjeçari shqiptar
Policia federale gjermane ka ndaluar dhe riatdhesuar një shtetas shqiptar 27-vjeçar, i cili tentoi për herë të dytë brenda pak ditësh të hyjë në territorin gjerman, pavarësisht një ndalimi katërvjeçar të hyrjes në zonën Shengen.
Ngjarja e fundit ndodhi të dielën, më 7 shtator, në pikën kufitare Füssen Ziegelwies, ku policia federale inspektoi një automjet me regjistrim gjerman dhe katër pasagjerë shqiptarë. Gjatë kontrollit, të gjithë pasagjerët u identifikuan me dokumente të vlefshme udhëtimi, por njëri prej tyre rezultoi të ishte në listën e ndalimit të hyrjes, të lëshuar nga autoritetet holandeze, raporton platforma urgjent.com.
Hetimet zbuluan se i riu kishte tentuar të hynte në Gjermani edhe mëngjesin e 4 shtatorit përmes aeroportit Berlin Brandenburg, por pas refuzimit, atij iu caktua fluturim direkt për në Shqipëri të njëjtën mbrëmje. Vetëm 55 orë më pas, ai u përpoq sërish të hynte në Gjermani, këtë herë si pasagjer në një automjet që kalonte përmes kufirit tokësor. Sipas deklaratave të tij para autoriteteve, qëllimi i udhëtimit ishte vizita e vëllait të tij në Bruksel.
Pas konstatimit të shkeljes, policia federale e raportoi 27-vjeçarin për tentativë hyrjeje të paligjshme. Përpara riatdhesimit, ai u detyrua të depozitonte një shumë sigurie prej 471 eurosh, e cila mbuloi kostot e procedurës së kthimit. Të njëjtën mbrëmje, shqiptari u dërgua me fluturim direkt nga Gjermania drejt Shqipërisë.
Autoritetet gjermane kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë kontrollet e rrepta në pikat kufitare dhe se shkeljet e ndalimeve të hyrjes në zonën Shengen do të ndëshkohen me masa të menjëhershme ligjore.