Suhareka së shpejti me pishinën gjysmëolimpike më moderne në rajon: 4000 m² për sportistë dhe fëmijë
Suhareka do të pasurohet me një projekt tjetër ambicioz dhe të veçantë që pritet të shërbejë për brezat e rinj.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka njoftuar ndërtimin e një pishine gjysmëolimpike, e cila do të shërbejë si qendër sportive për mësimin e notit dhe zhvillimin e shumë disiplinave të tjera.
Puna nuk ndalet, sepse shërbimi për qytetarët është motivi ynë, ka deklaruar Muharremaj, duke theksuar se ky projekt është pjesë e vizionit për të krijuar hapësira moderne dhe funksionale për komunitetin.
Pishina do të shtrihet në një hapësirë prej 4000 metrash katrorë dhe do të ketë dy pishina të veçanta, një për sportistët dhe aktivitetet garuese dhe një për fëmijët, ku ata do të mësojnë hapat e parë në not dhe do të përfshihen në aktivitete argëtuese e edukative.
Ky projekt, përveç që do të ofrojë kushte moderne për sportistët, pritet të ndikojë edhe në edukimin sportiv të fëmijëve dhe të rinjve, duke i orientuar drejt një jete më aktive dhe të shëndetshme.