Gjermani, arrestohet 33-vjeçari nga Kosova për mospagim gjobe, dënohet me dy muaj burg

06.09.2025

Një 33-vjeçar nga Kosova është arrestuar nga Policia Federale gjermane gjatë kontrolleve kufitare në Kiefersfelden, pranë kufirit mes Gjermanisë dhe Austrisë, pasi rezultoi se ishte nën urdhër-arrest për një dënim të mëparshëm në këtë shtet.

Sipas Drejtorisë Federale të Policisë në Mynih, arrestimi ndodhi gjatë fundjavës së 30-31 gushtit, në pikën kufitare në autostradën A93, ku policia ndaloi një automjet me targa gjermane dhe kontrolloi identitetin e shoferit – shtetas kosovar. Gjatë verifikimeve, rezultoi se ndaj tij kishte një urdhër-arrest të lëshuar nga Gjykata e Qarkut Wernigerode, për shkak të një dënimi për uzurpim të detyrës në vitin 2023, raporton urgjent.com.

I riu nga Kosova kishte shmangur pagesën e një gjobe prej afërsisht 1,600 eurosh, dhe sipas autoriteteve gjermane, besohet se ai ishte larguar nga vendi për t’i shpëtuar ndëshkimit. Meqë nuk arriti të paguante shumën e gjobës në momentin e ndalimit, ai u shoqërua drejt burgut të Bernau-t, ku do të vuajë një dënim me gati dy muaj burgim.

Policia Federale e Gjermanisë theksoi se rasti i kosovarit ishte një nga tre arrestimet që u kryen gjatë kontrolleve kufitare atë fundjavë, ku u ndaluan gjithashtu edhe një shtetas italian dhe një rumun, të cilët përfunduan po ashtu në burg për shkelje ligjore dhe urdhër-arreste aktive.