Gjermani, dyshohet se zhvatën shqiptarët, dhjetëra zyrtarë policorë nën hetime

06.09.2025

Dhjetëra oficerë policie në Düsseldorf janë nën hetim për akuza të rënda, përfshirë vjedhje dhe pengim të drejtësisë.

Zyrtarët dyshohet se kanë mbledhur depozita sigurie nga individë, kryesisht shtetas shqiptarë, dhe i kanë mbajtur paratë për vete.

Hetimet, të cilat po drejtohen nga Policia e Duisburgut, kanë nisur pas zbulimit të parregullsive nga një mbikëqyrës. Gjashtë nga dhjetë oficerët janë pezulluar nga detyra dhe akuzohen për pengim të drejtësisë pasi dyshohet se ishin në dijeni të vjedhjeve, por nuk i raportuan ato.

Gjithçka nisi në mëngjesin e 7 gushtit, kur një mbikëqyrës vuri re raporte të çuditshme gjatë kontrollit të një shtetasi shqiptar. Kur u përball me një nga oficerët e përfshirë, polici pranoi se kishte vërtetësi në dyshimet e ngritura, por mohoi përfshirjen e tij direkte.

Menjëherë pas kësaj, më 8 gusht, autoritetet ndërmorën bastisje në shtëpitë dhe zyrat e të dyshuarve, duke konfiskuar telefona celularë dhe materiale të tjera. Gjatë një bastisjeje, në dollapin e armëve të një prej oficerëve të dyshuar u gjetën 60 gramë marihuanë dhe 8 gramë një substancë e panjohur, çka shtoi akoma më shumë dyshime.

Deri më tani, asnjë nga oficerët e akuzuar nuk ka bërë komente zyrtare mbi akuzat. Hetuesit theksojnë se brenda policisë së Düsseldorf-it qarkullojnë thashethemet për veprimet e paligjshme të kolegëve. Mbetet të shihet se si do të evoluojë ky rast i rëndë, i cili ka vënë në pikëpyetje integritetin e një pjese të forcave të rendit.