Arrestohen dy persona pas vdekjes së punëtorit në Mushtisht

02.09.2025

Një ngjarje tragjike ka ndodhur të hënën pasdite në fshatin Mushtisht të Suharekës, ku një 35-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në vendin e punës.

Rasti ka përfunduar me arrestimin e dy personave të dyshuar.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 14:30 stacioni policor në Suharekë është informuar nga Emergjenca se në Qendrën Emergjente ishte sjellë pa shenja jete personi P.O., banor i Mushtishtit. Ekipet mjekësore kanë konstatuar se viktima nuk ka arritur t’i mbijetojë lëndimeve të marra.

Hetimet e para sugjerojnë se viktima, gjatë operimit me një ngarkues (vinç) në një kompani ndërtimi, është goditur rëndë në kokë në rrethana ende të paqarta. Për shkak të plagëve të rënda, ai ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet kompetente, përfshirë inspektorin e punës dhe hetuesit policorë. Me urdhër të prokurorit të shtetit, rasti po hetohet si vepër penale “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.

Pas intervistimit, dy persona të dyshuar janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë duke vazhduar.