Sot mbahet takimi konsultativ i kryesisë së Kuvendit, thirrja e Bashës kundërshtohet nga PDK e LDK
Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka thirrur për sot një mbledhje të kryesisë së re të Kuvendit, e cila pritet të mbahet në orën 13:00.
Sipas njoftimit të shpërndarë nga zyra për media e Kuvendit, takimi është cilësuar si konsultativ, ndonëse ky organ nuk është konstituuar plotësisht.
Thirrja e Bashës është përballur me kundërshtime politike. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në mbledhje, duke e konsideruar atë antikushtetuese. Sipas tyre, kryesia nuk është e kompletuar pasi ende mungon një anëtar, përfaqësuesi i komunitetit serb, që sipas Kushtetutës duhet të jetë pjesë e saj.
Deri më tani, Kuvendi ka zgjedhur katër nënkryetarë: Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, Vlora Çitaku nga PDK, Kujtim Shala nga LDK dhe Emilja Rexhepi nga komunitetet jo-shumicë. Vendi i pesëmbëdhjetë, i rezervuar për përfaqësuesin e komunitetit serb, mbetet vakant.
Të shtunën, kryetari Dimal Basha kishte deklaruar se janë shterur të gjitha opsionet për zgjedhjen e këtij anëtari dhe e kishte konsideruar seanca konstituive si të përfunduar.
Mbledhja e sotme zhvillohet në një periudhë të tensionuar politike, ku vazhdojnë debatet për legjitimitetin e vendimeve që mund të merren pa një kryesi të plotë. Rrjedha e takimit dhe hapat e mëtejshëm për zgjidhjen e kësaj situate mbeten të paqarta.