Policia e Kosovës bën apel për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet në internet
Policia e Kosovës ka njoftuar se, në bashkëpunim me qytetarët dhe institucionet relevante, ka trajtuar disa raste të ndërlidhura me postime shqetësuese në rrjete sociale nga fëmijë, që lidhen me vetëlëndim dhe vetëvrasje.
Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe bashkëpunimit institucional, policia ka arritur të identifikojë fëmijët e rrezikuar, duke siguruar prezencën e tyre dhe duke njoftuar prindërit si dhe mekanizmat përgjegjës për trajtimin e duhur të rasteve.
Në njoftim, Policia e Kosovës falënderon qytetarët dhe institucionet për bashkëpunimin, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një ambienti sa më të sigurt në internet, veçanërisht për fëmijët.
Thirrje për kujdes nga prindërit
Policia apelon tek të gjithë qytetarët, posaçërisht tek prindërit, që të kenë kujdes të shtuar ndaj aktiviteteve të fëmijëve në internet dhe rrjete sociale, për të parandaluar rreziqet që mund të sjellin pasoja të rënda për shëndetin dhe sigurinë e tyre.
Këshilla për prindërit dhe fëmijët
Në kuadër të apelit, Policia ka ndarë disa këshilla praktike:
- Prindër: flisni rregullisht me fëmijët tuaj për rreziqet në internet, monitoroni aktivitetet e tyre dhe kontrolloni materialet që ata posedojnë në pajisjet elektronike.
- Sigurohuni që fëmijët nuk janë të përfshirë në lojëra të rrezikshme që mund t’i shtyjnë drejt vetëlëndimit.
- Fëmijë: tregoni kujdes me kë shoqëroheni online, mos ndani të dhëna personale dhe mos takoni persona të panjohur pa dijeninë e prindërve.
- Kujdesuni për atë që postoni në rrjete sociale, shmangni ngacmimet dhe mos shpërndani materiale të paligjshme.
- Mos luani lojëra që kërkojnë sfida të rrezikshme apo vetëlëndim.
- Kufizoni kohën e qëndrimit në internet dhe gjithmonë ndani shqetësimet me prindërit ose persona të besuar.
Policia u kujton qytetarëve se çdo rast i dyshimtë apo shqetësim mund të raportohen në çdo kohë tek organet e rendit.