Zvicër, arrestohen tre kosovarë – u kapën duke punuar ‘në të zezë’ 

28.08.2025

Tre punëtorë kosovarë janë arrestuar në kantonin e Thurgau-t në Zvicër, pasi u kapën duke punuar në mënyrë të paligjshme në një kantier ndërtimi.

Ngjarja ndodhi të martën në mëngjes gjatë një kontrolli të papritur nga autoritetet zvicerane.

Policia Kantonale e Thurgau-t, në bashkëpunim me Zyrën për Çështje Ekonomike dhe Punë dhe Zyrën Federale për Dogana dhe Siguri Kufitare, kreu një inspektim në një kantier në rrugën “Hauptstrasse” në Eschenz. Gjatë këtij operacioni, u kontrolluan rreth 20 persona, raporton urgjent.com.

Si rezultat i kontrolleve, u zbulua se tre kosovarë, të moshës 34, 40 dhe 42 vjeç, po punonin pa lejet e nevojshme. Ata u arrestuan menjëherë.

Autoritetet njoftuan se tre burrat e arrestuar, si dhe punëdhënësi i tyre, do t’i raportohen zyrës së prokurorit publik për hetime të mëtejshme.