Kërcënoi me armë pas një mosmarrëveshjeje, policia e arreston të dyshuarin në Suharekë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Suharekë, ku një person është arrestuar pasi dyshohet se ka kanosur me armë zjarri një tjetër pas një mosmarrëveshjeje.
Sipas raportit të policisë, incidenti ka ndodhur rreth orës 19:50, ku ankuesi (mashkull kosovar) ka raportuar se i dyshuari (po ashtu mashkull kosovar) ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dyshemesë gjatë një konflikti.
“Viktimat Xh. K. rreth 36-vjeçar dhe N. K. rreth 60-vjeçar kanë raportuar në Polici se pas një mosmarrëveshjeje verbale me të dyshuarin, ky i fundit kishte marrë një armë dhe kishte shtënë në drejtim të dyshemesë së garazhit”.
Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka kontaktuar të dyshuarin B.K rreth 20-vjeçar. Ai ka pranuar se kishte shtënë me armë dhe vullnetarisht ka dorëzuar një pistoletë. Në vendngjarje hetuesit kanë gjetur një gëzhojë kalibri 7.62 mm, një fishek dhe vendin ku kishte rënë predha.
Gjatë ballafaqimit me provat, i dyshuari ka pranuar se posedonte edhe një armë tjetër – një AK-47, e cila është gjetur në shkurre pranë shtëpisë.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, janë sekuestruar: një AK-47, kal. 7.62 mm, një pistoletë me gaz, tipit EKOL-Special 99, dy karikatorë (i AK-47 dhe i pistoletës).
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe më pas është dërguar në ndalim për 48 orë, për veprat penale “Kanosje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për procedurat e mëtejshme ligjore. Rasti po hetohet nën akuzat e “kanosjes” dhe “armëmbajtjes pa leje”.