Vazhdon kriza e ujit, 32 lidhje ilegale u identifikuan në një javë, 6 në Suharekë

25.08.2025

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar se vazhdon të përballet me vështirësi të mëdha në furnizimin me ujë, si pasojë e rritjes së lartë të konsumit dhe rënies së nivelit të burimeve ujore.

Situata po bëhet edhe më e rëndë për shkak të lidhjeve ilegale, të cilat po ndikojnë negativisht në furnizimin e rregullt me ujë.

Gjatë javës së kaluar, ekipet e Inspektoratit të kompanisë kanë kryer aksione në disa zona dhe kanë arritur të identifikojnë dhe të shkyçin nga rrjeti i ujësjellësit gjithsej 32 lidhje ilegale.

Nga totali i lidhjeve ilegale të zbuluara, një pjesë e konsiderueshme ishte në qytetin e Suharekës, ku u zbuluan 6 lidhje ilegale. Prizreni mban rekordin me 25 lidhje të tilla, ndërsa në Dragash u identifikua 1 rast.

Hidroregjioni Jugor ka theksuar se këto veprime të paligjshme nga konsumatorët e papërgjegjshëm janë duke e dëmtuar seriozisht infrastrukturën e rrjetit dhe po ndikojnë drejtpërdrejt në zvogëlimin e furnizimit me ujë për qytetarët e tjerë.

Aksionet për zbulimin e lidhjeve ilegale do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Kompania ka paralajmëruar se ndaj të gjitha rasteve të evidentuara do të ndërmerren masa ligjore, duke përfshirë gjoba dhe ndjekje penale.

Në njoftimin e tyre, Hidroregjioni Jugor apelon tek të gjithë konsumatorët që të respektojnë rregullat dhe të shmangin veprimet e jashtëligjshme, duke theksuar se bashkëpunimi i qytetarëve është thelbësor për të siguruar një furnizim të drejtë dhe të rregullt me ujë për të gjithë.