Me kapacitet për 140 fëmijë, çerdhja e 10-të së shpejti në Suharekë

22.08.2025

Një projekt i ri për më të dashurit tanë po vjen në qytetin e Suharekës.

Në Komunën e Suharekës shumë shpejt do të nisë ndërtimi i çerdhes së 10-të, një projekt i rëndësishëm që pritet të sjellë kushte më të mira për edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve.

Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur se ky projekt po realizohet me energji dhe pasion të veçantë, duke garantuar një të ardhme të sigurt për gjeneratat e reja. Ai ka theksuar se çerdhja e re do të ofrojë hapësira të sigurta, bashkëkohore dhe kreative për fëmijët.

“Do ta ndërtojmë me përkushtim, duke krijuar një ambient që siguron edukim cilësor dhe zhvillim të shëndetshëm për fëmijët tanë,” është shprehur Muharremaj i kontaktuar nga SuharekaOnline lidhur me projektin e çerdhes së re.

Sipas planit, objekti i ri do të ketë kapacitet për 140 fëmijë, duke lehtësuar kështu nevojat gjithnjë e më të mëdha të prindërve për institucione parashkollore në komunë.