Gjermani, arrestohet 42-vjeçari nga Kosova, u prezantua si polic dhe i mori kursimet një 69-vjeçare
Një 42-vjeçar nga Kosova është arrestuar nga policia gjermane pasi dyshohet se mashtrui një grua 69-vjeçare në Hamburg, duke i marrë një shumë parash nën pretekstin e një rasti policor.
Mëngjesin e 19 gushtit 2025, rreth orës 10:00, një person i prezantuar si oficer policie me emrin “Frank Vogel” telefonoi të moshuarën në lagjen Uhlenhorst. Ai e paralajmëroi për krime të supozuara në zonën e saj dhe e bindi të dorëzonte kursimet. Rreth orës 13:00, një burrë u paraqit në derën e saj dhe mori paratë, shkruan urgjent.com.
Zyra e Policisë Kriminale Shtetërore (LKA 43) kishte marrë informacion mbi këto telefonata dhe nisi hetimet. Hetues civilë nga LKA 43 dhe Komisariati i Policisë 35 ndërhynë dhe arrestuan 42-vjeçarin kosovar në momentin që ai mori paratë. Shuma e marrë u konfiskua menjëherë.
Pas përfundimit të procedurave hetimore fillestare, i dyshuari u dërgua para gjyqtarit, i cili urdhëroi paraburgimin e tij. Hetimet për persona të tjerë të përfshirë në këtë rast janë ende në zhvillim.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, policia e Hamburgut regjistroi mbi 400 raste mashtrimi telefonik të quajtur “call center scams”, ku në më shumë se 40 raste autorët arritën të përfitonin para. Humbjet totale kanë kaluar shifrën prej 2 milionë eurosh.