Ballkani dhe Drita në mision evropian – sfida vendimtare sonte për kualifikim

14.08.2025

Sonte, futbolli kosovar është në qendër të vëmendjes evropiane, pasi dy skuadrat e mbetura në garat ndërkombëtare, Drita dhe Ballkani, përballen me sfida vendimtare për kualifikim tutje në Europa League dhe Conference League.

Drita synon një fitore historike dhe kualifikimin në ‘play-off’ të Europa League kundër gjigantit rumun FCSB. Pas humbjes 3:2 në Bukuresht, ku për një moment kishte epërsi 0:2, skuadra gjilanase beson se përmbysja është e mundur.

Lajm i mirë për kampionët e Kosovës është rikthimi i sulmuesit Liridon Balaj, ndërsa mungon vetëm mbrojtësi kolumbian Juan Camilo Mesa. Ndeshja zhvillohet në orën 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku pritet një atmosferë e zjarrtë nga tifozët.

Ndërkohë, Ballkani udhëton në Irlandë për t’u përballur me Shamrock Rovers në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë të Conference League. Nënkampioni nga Suhareka ka epërsinë e një goli, pas fitores 1:0 në “Fadil Vokrri”, dhe synon ta menaxhojë këtë avantazh në “Tallaght Stadium” të Dublinit. Trajneri Orges Shehi ka paralajmëruar një lojë të kujdesshme, ndërsa vendasit pritet të kërkojnë përmbysje para tifozëve të tyre.

Sonte pritet të jetë një mbrëmje vendimtare për futbollin kosovar, me shpresën që të dyja skuadrat të sigurojnë një vend në fazat e ardhshme të garave evropiane.