Kryetari Muharremaj prezanton kandidaturën e Sedat Gashit për Asamblenë Komunale të Suharekës

12.08.2025

Kryetari i Komunës së Suharekës dhe njëherësh kandidat për kryetar në zgjedhjet lokale të 12 tetorit nga radhët e AAK-së, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur kandidaturën e Prof. Msc. Sedat Gashit nga Luzhnica, me vendbanim në Suharekë, për Asamblenë Komunale.

Sipas njoftimit, Gashi ka mbi 12 vite angazhim në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ku ka ushtruar funksionin e kryetarit të nëndegës në Luzhnicë dhe ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të partisë në Suharekë. Aktualisht, ai është profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në gjimnazin “Jeta e Re”, me studime Bachelor dhe Master të përfunduara në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në fushën e arsimit, Gashi është vlerësuar disa herë si mësimdhënës i dalluar nga shkollat përkatëse, Drejtoria Komunale e Arsimit dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Përvoja e tij përfshin gjithashtu gazetarinë dhe moderimin, si dhe angazhime në hapësirën publike.

I apasionuar pas letërsisë, artit dhe kulturës, ai është autor dhe bashkëautor i disa librave, mes tyre edhe vepra “Sythet e dritëhijeve të jetës”, si dhe fitues i disa çmimeve letrare nga niveli komunal deri në atë mbarëkombëtar.

Në njoftim, Gashi paraqitet si kandidat me synim përfaqësimin e vlerave të arsimit, kulturës dhe zhvillimit në Asamblenë Komunale të Suharekës.