Suharekë, arrestohet 35-vjeçari për kanosje dhe bixhoz të paligjshëm
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përmes Njësisë Rajonale në Prizren, ka ndërmarrë veprime hetimore pas pranimit të një ankese nga një qytetar i një fshati të Suharekës, i cili ka deklaruar se po kanoset dhe detyrohet nga një person tjetër, po ashtu nga një fshat i kësaj komune.
Sipas dëshmisë së ankuesit, ngjarja lidhet me një borxh të krijuar nga lojërat e fatit të zhvilluara para tre vitesh, në vlerë prej rreth nëntë mijë euro. Ai ka thënë se i dyshuari tani i kërkon rreth njëzet e një mijë euro dhe e ka kanosur vazhdimisht për kthimin e shumës, duke ushtruar presion të vazhdueshëm.
Hetimet e para dyshojnë se i dyshuari ka menaxhuar këto lojëra të fatit përmes adresave elektronike nga Zvicra dhe Kosova. Gjatë veprimeve policore është sekuestruar një telefon për ekzaminim lidhur me aktivitetet e dyshuara të organizimit të lojërave të paligjshme.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari A.L. (1990, mashkull kosovar) është intervistuar në prani të mbrojtësit sipas detyrës zyrtare dhe ndaj tij është iniciuar rast për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “Detyrimi”. Ai është ndaluar për 48 orë.