Dy raste të përdorimit të armëve në Malishevë dhe Rahovec, policia sekuestron armë dhe municione

11.08.2025

Policia ka ndërhyrë me sukses në dy raste të ndara të përdorimit të armëve të zjarrit në Malishevë dhe Rahovec, duke identifikuar të dyshuarit dhe sekuestruar armët e përdorura.

Rasti i parë është shënuar më 7 gusht 2025 në fshatin Lladroviq të Komunës së Malishevës, ku Njësia Hetimore e Stacionit Policor Malishevë mori informacion për të shtëna me armë zjarri. Pas hetimeve, u identifikuan dy persona të dyshuar dhe u sekuestrua arma e përdorur.

Gjatë kontrollit në vendbanimin e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi një pushkë gjysmë automatike, 7 fishekë, 8 gëzhoja dhe dy granata dore. Me urdhër të prokurorit, ndaj tyre u iniciuan rastet për “Mbajtje të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”. Të dy të dyshuarit u liruan në procedurë të rregullt.

Rasti i dytë ndodhi më 11 gusht 2025 në Rahovec, në rrugën “Selajdin Mullabazi”, ku pas një informate për të shtëna, policia identifikoi dhe arrestoi një të dyshuar. Nga vendi i ngjarjes u sekuestruan një pistoletë, një karikator, 2 fishekë dhe 6 gëzhoja të kalibrit 7.62 mm. Prokuroria ka iniciuar rastin për “Mbajtje të paautorizuar të armëve” dhe “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin për garantimin e sigurisë publike dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë e qytetarëve.