Sveçla pas vrasjes së trefishtë në Gjilan: Institucionet e drejtësisë po tolerojnë kriminelët

10.08.2025

Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur sot në Komunën e Gjilanit, ku tre persona humbën jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Tre të dyshuarit për këtë rast tashmë janë shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.

Sveçla shprehu ngushëllime të sinqerta për familjet e viktimave dhe u shpreh thellësisht i tronditur nga rasti. Ai kritikoi ashpër institucionet e drejtësisë për trajtimin e rasteve të tilla, duke theksuar se i dyshuari kryesor për vrasjen e sotme ishte arrestuar vitin e kaluar për fajde, por ishte lënë i lirë.

“Sipas informacioneve, i dyshuari kryesor i vrasjes së sotme ka qenë i arrestuar vitin e kaluar nga Policia e Kosovës për fajde, ndërkaq neglizhenca dhe tolerimi nga ana e sistemit të drejtësisë po na sjellin në pikën ku jemi sot,” tha ai.

Sveçla theksoi se është momenti i fundit që Prokuroria dhe Gjyqësori të reflektojnë dhe të mos tolerojnë asnjë kriminel apo veprimtari kriminale. “Qytetarët duhet ta kenë shtetin garant të sigurisë dhe jo të ndihen të frikësuar,” përfundoi ai.