Katër vdekje brenda 24-orëve në Kosovë, policia nis hetimet
Katër raste të vdekjeve janë raportuar më 8 gusht në Kosovë, në rrethana dhe lokacione të ndryshme.
Në tri prej tyre, prokurori ka urdhëruar obduksionin për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Në fshatin Batushë të Graçanicës, rreth orës 18:00, është gjetur pa shenja jete një person i gjinisë mashkullore. Mjekët kanë konstatuar vdekjen në vendngjarje, ndërsa rasti është cilësuar si vdekje e dyshimtë. Trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
Në Ferizaj, në rrugën “12 Qershori”, një femër kosovare humbi jetën pasi dyshohet se ka rënë nga kati i pestë i një ndërtese. Ngjarja është raportuar në orën 16:33. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për aksident apo rrethana të tjera të dyshimta. Edhe ky trup është dërguar në IML për ekzaminime.
Në Mushnikovë të Prizrenit, në orët e mesditës, një mashkull ka humbur jetën pasi është rrëzuar aksidentalisht nga një lartësi. Policia e ka cilësuar vdekjen si aksidentale dhe, me vendim të prokurorit, trupi është dorëzuar familjarëve për ceremoninë mortore.
Ndërkohë, në një fushë të hapur në fshatin Bellanicë të Malishevës, është gjetur trup i pajetë i një mashkulli kosovar. Rasti është cilësuar si vdekje e dyshimtë dhe trupi është dërguar në IML për ekzaminime të mëtejme.
Policia ka konfirmuar se po heton të gjitha rastet për të zbardhur rrethanat e vdekjeve.