Presidentja Osmani publikon letrën që pranoi nga Presidenti Trump

07.08.2025

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë publike një letër që ka pranuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në të cilën konfirmohet mbështetja e palëkundur amerikane për vendin tonë.

Në një postim në llogarinë e saj zyrtare në Facebook, Osmani ka falënderuar Presidentin Trump për përkrahjen dhe përkushtimin ndaj partneritetit me Kosovën.

“Faleminderit Presidentit Trump për përkrahjen e tij, si dhe për fjalët e fuqishme për partneritetin me Kosovën. Kosova do të vazhdojë të qëndrojë krah për krah me SHBA-të, në çdo sfidë e çdo sukses. Mbetem e përkushtuar të punojmë së bashku me Presidentin Trump për ta thelluar edhe më tej aleancën tonë në vitet që vijnë”, ka deklaruar Osmani.

Në letrën e dërguar më 4 gusht 2025, Presidenti Trump ka vlerësuar rolin e Kosovës në pranimin e qytetarëve nga vende të tjera si një dëshmi e përkushtimit të fuqishëm ndaj bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara.

“Shtetet e Bashkuara dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë të ndërtuar mbi respektin e ndërsjellë, vlerat e përbashkëta demokratike dhe vizionin për një të ardhme paqësore dhe të begatë”, thuhet ndër të tjera në letrën e Presidentit Trump.

Ai gjithashtu ka shprehur mirënjohje për udhëheqjen e guximshme të Presidentes Osmani dhe e ka cilësuar atë si një “mike të vërtetë të Shteteve të Bashkuara”.

“Pres me padurim të punojmë ngushtë me ju në vitet që vijnë”, përmbyllet letra e Presidentit Trump.

Kujtojmë se para disa javësh, Presidentja Osmani ka zhvilluar një vizitë zyrtare në SHBA, ku ka realizuar takime të shumta me përfaqësues të lartë të administratës amerikane dhe faktorë tjerë ndërkombëtarë.