Kryetari Muharremaj prezanton kandidaturën e Mimoza Bajraktarit për mandatin e dytë në Asamblenë Komunale

06.08.2025

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur kandidimin e Msc. Mimoza Bajraktarit për një mandat të dytë në Asamblenë Komunale, duke vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e saj në shërbim të qytetarëve.

Me përvojë që nis në kohë lufte dhe vazhdon deri më sot në shërbim të kujdesit shëndetësor, Mimoza Bajraktari aktualisht ushtron funksionin e Kryeinfermierës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Suharekë. Ajo është magjistre në menaxhimin e shërbimeve shëndetësore dhe, përveç angazhimeve profesionale, ka pasur edhe rol si ligjëruese në të kaluarën.

Sipas kryetarit Muharremaj, Bajraktari përfaqëson një profil të gruas që udhëheq me mendje dhe zemër, duke treguar përkushtim të pandërprerë në adresimin e nevojave të qytetarëve. Gjatë angazhimeve të saj, ajo është shquar për energji, profesionalizëm dhe vizion në fushën e shëndetësisë dhe përtej saj.

Me këtë kandidaturë, ajo synon të vazhdojë kontributin e saj në zhvillimin dhe përmirësimin e jetës komunale në Suharekë.