Muharremaj premton përkujdesje në shtëpi për të moshuarit: ushqim, higjienë, larje të rrobave – deri te edhe përgatitja e kafesë
Në një intervistë të dhënë në emisionin DTP FIDANI, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka shpallur një tjetër iniciativë të rëndësishme sociale që synon përmirësimin e jetës së qytetarëve më në nevojë — veçanërisht personave të moshuar dhe atyre pa përkujdesje.
Duke u ndalur fillimisht te projekti tashmë i njohur “Kujdesi Shtëpiak” (Home Care), i cili është funksional në Suharekë prej më shumë se 8 vitesh, Muharremaj theksoi suksesin dhe rëndësinë e këtij shërbimi për komunitetin. Ky projekt ka qenë shembull i përkushtimit të institucionit lokal për të ofruar ndihmë në vendbanimet e qytetarëve, duke siguruar ndihmë shëndetësore dhe sociale për ata që nuk kanë mundësi të kujdesen për veten.
Por përtej kësaj, kryetari Muharremaj bëri të ditur se shumë shpejt do të nisë një projekt të ri, i cili do të zgjerojë më tej gamën e shërbimeve për këtë kategori të ndjeshme të qytetarëve.
Sipas tij, do të formohet një ekip i specializuar i cili do të ketë për mision:
- Përgatitjen e ushqimit të përditshëm
- Kujdesin për higjienën personale
- Larjen e rrobave
- Dhe përkujdesjen e vazhdueshme për të moshuarit dhe personat pa përkujdesje
“Qëllimi ynë është që askush në Suharekë të mos mbetet pas dore. Ky projekt i ri synon të krijojë dinjitet dhe siguri për çdo qytetar që ka nevojë për ndihmë”, tha ndër të tjera Muharremaj.