Prokuroria kërkon paraburgim për Nexhmi Krasniqin dhe të tjerët: Dyshohen se detyruan shitjen e një prone 500 mijë € për 250 mijë euro

06.08.2025

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë ndaj katër të pandehurve: L.S., Xh.S., N.K., dhe R.P., të cilët dyshohen për një sërë veprash penale, përfshirë “Detyrimin”, “Mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Shmangie nga tatimi”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2024 kanë vepruar si grup për të përfituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme përmes kanosjes dhe presionit ndaj një qytetari, me qëllim që ai të tërhiqej nga një pronë në zonën kadastrale Lubizhdë të Prizrenit, në favor të njërit prej të pandehurve, R.P. Sipas Prokurorisë, prona në fjalë, e cila kishte vlerë tregu prej 400,000 deri në 500,000 euro, u ble nga R.P. për vetëm 250,000 euro.

Në dokument thuhet se i dëmtuari, për shkak të presionit dhe frikës, është detyruar të tërhiqet nga prona, dhe më pas ka dorëzuar para në dorë për tre nga të dyshuarit: 10,000 euro për N.K. dhe 20,000 euro për L.S. dhe Xh.S.

Prokuroria gjithashtu ka njoftuar se përveç veprës penale “Detyrimi”, të dyshuarit L.S., N.K. dhe R.P. dyshohen edhe për “Mbajtje të paautorizuar të armëve”, ndërsa R.P. akuzohet edhe për “Shmangie nga tatimi” në lidhje me mosdeklarimin e qarkullimit real gjatë blerjes së pronës, duke i shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës një dëm prej 130,000 euro.

Në kuadër të hetimeve, janë ndërmarrë edhe masa financiare dhe sekuestrime. Prokuroria ka ngrirë xhirollogari në vlerë prej 126,997 euro, ka sekuestruar para kesh në vlerë prej 8,850 euro dhe një pronë me sipërfaqe prej 58.7 ari.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar edhe: dy pistoleta të tipit Zoraki me municion, pesëdhjetë fishekë 9 mm Luger, trembëdhjetë fishekë të tjerë PK 9×19, dy pushkë ajrore, një elektroshok, gjashtë telefona mobil, si dhe dokumente të ndryshme që do të shërbejnë si prova materiale.

Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar se do të vazhdojë të jetë e përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të personave që bien ndesh me ligjin.