Konfiskohen barna pa banderola në një barnatore në Rahovec – vlera mbi 2 mijë euro

06.08.2025

Njësitet policore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), në bashkëpunim me Inspektoratin Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë, kanë zbuluar barna të ndaluara për shitje gjatë një kontrolli në një barnatore në fshatin Ratkoc të Rahovecit.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, kontrolli është kryer të martën, ku janë gjetur barna me banderola të shteteve fqinje, të cilat nuk lejohen për tregtim në Kosovë.

Gjatë operacionit, autoritetet kanë konfiskuar 73 artikuj të ndryshëm në 277 paketime, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 2,200 euro.

“I dyshuari është një mashkull kosovar dhe pas intervistimit, në konsultim me prokurorin e shtetit, është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Policia dhe institucionet përgjegjëse po vazhdojnë kontrollin dhe mbikëqyrjen e barnatoreve për të garantuar sigurinë dhe ligjshmërinë në tregun farmaceutik të vendit.